Që prej vitit 1992, kjo është hera e 9-të që shqiptarët thirren për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Këtë herë, Partia Socialiste garon për një mandat të tretë qeverisës.
Partia Demokratike me koalicionin e saj kërkon të rikthehet në pushtet pas 8 viteve në opozitë.
Asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti të ketë qeverisur më gjatë se dy mandate. A do të ndryshojë historia apo do të përsëritet?
Partia Socialiste ka rezultuar fituese në bashkinë e Sarandës, pjesë e qarkut të Vlorës, me 52.51 % të votave.
Forcë e dytë në këtë bashki ka dalë Partia Demokratike me 33.89%.
Procesi i numërimit të votave është mbyllur ndryshe nga zakonisht, me një shtrëngim duarsh dhe përqafim qytetarie nga kandidatet e PS dhe PD, Anila Denaj dhe Ina Zhupa.
Znj.Denaj, aktualisht ministre në detyrë e Financave është e katërta në listën e socialistëve, ndërsa Ina Zhupa renditet e dyta në listën e demokratëve për qarkun Vlorë.
Përqafimi i dy kandidateve është shoqëruar me duartrokitje nga aktivistët e pranishëm në qendrën e numërimit.