Prej tri ditësh tashmë vijon situata kaotike me radhë kilometrike në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Shqiptarët presin me orë të tëra deri në mbërritje pranë pikës doganore, ku duhet t’i nënshtrohen tamponit për të hyrë në Greqi. Ata shprehen të indinjuar, për pritjen e gjatë në një mot të nxehtë e në kushte te pafavorshme.
Mëngjesin e sotëm mësohet se vargu i makinave ka shkuar deri në fshatin Jorgucat, në drejtim të Sarandës.
Situata është përkeqësuar jo vetëm për shkak të procedurës së tamponit, por edhe mbyllja e kësaj pike kufitare të palës greke gjatë natës, nga ora 22:00-06:00.
Duk iu përgjigjur interesimit të Abc Neës në lidhje me situatën kaotike në Kakavijë, Ministria e Jashtme thotë se kanë kontaktuar me palën greke dhe është konstatuar se vonesat nuk shkaktohen nga policia, po prej autoriteteve shëndetësore.
Ndër të tjera ministria bën me dije se gjatë ditëve të fundit kalimi lejohet vetëm në orarin 06:00 deri 22:00 ora shqiptare.
Ndërkaq, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ka fluks të shtuar dhe qytetarët janë detyruar të presin me orë në radhë, si pasojë lëvizja po ecën shumë ngadalë, pasi nga ana e autoriteteve greke po kryen testimeve masive.
“Është realizuar takim me drejtues të palës greke dhe theksojmë se problemi në lëvizje nuk krijohet nga autoritetet policore greke apo ato doganore, por nga autoritetet shëndetësore në Pikën e Kalimit Kufitar të palës greke. Teksa në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, puna vijon normalisht. Në Pika Kufitare të tjera, pala Greke nuk kryen procedura hyrje/dalje, për mjete dhe shtetas, por procedon vetëm raste urgjente”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë se Jashtme, që ështe mjaftuar me kaq. duke lënë në mëshirë të autoriteteve greke, dhjetëra mijëra emigrantë.
Ende nuk ka njoftim zyrtar se sa do të vazhdojë kjo situatë në kufi.