Shkodrën e krahasojnë shpesh me Italinë dhe ka shumë ngjashmëri – për shumë gjëra – por sidomos për kulturën.
Ndonëse në Tiranë u përpoqëm shumë “të kopjonim” fqinjët italianë me këngë nga dritarja dhe më duartrokitje për mjekët, në Shkodër duhet ta pranojmë se janë më kreativë.

Në një formë krejt tjetër, kënga u ka shkuar shumë pranë qytetarëve shkodranë përmes këngëtarit Bujar Qamili.
Nën masa të rrepta sigurie e distancomi social, Bujar Qamili ka kënduar mes sheshit – bosh – por me dritaret plot.

Në një situatë kur Shkodra po përballet me një situatë të agràvuar prej koronavìrusit – por edhe politikës – qytetarët e një prej vendeve më me kulturë në Shqipëri, dinë të argëtohen dhe të përballojnë këto momente të vështira.
Në orën 18:00 në sheshin “Parrucë”, u bë një koncert krejt ndryshe i këngëtarit në bashkëpunim me televizionin TV1-Channel.

“Të gjithë ju që jeni në ballkone e dritare, ishte një dëshirë jo vetëm e imja, që të jem një orë në mesin tuaj e të kalojmë një pasdite ndryshe nga këto që kemi kaluar, do mundohem që t’ju kënaq jo vetëm ju por të gjithë teleshikuesit që po na ndjekin drejtpërsëdrejti”, tha Bujar Qamili.
“Kur më thanë mendova si do jetë një koncert pa spektator, por unë këtë kënaqësi e kam sot, se ky publik nuk më mungon, është kjo Shkodër që me duartrokitjet e tyre më bëri këngëtar, prej duartrokitjeve të tyre jam sot këtu ku jam,” – është shprehur këngëtari shkodran.