Rey Manaj pjesë e listës së futbollistëve të Barcelonës në Champions League

Një sukses i radhës për Rey Manajn, që po merr vëmendjen e të gjithëve në Spanjë, madje duke befasuar edhe vetë tifozët shqiptarë.

Kur shkoi te Barcelona B pak kush do ta mendonte se mund t’i jepej hapësira në skuadrën e parë.

Por sulmuesi shqiptar është stërvitur dy herë me trajnerin Quique Setien, përkatësisht para ndeshjes për Kupë së Mbretit me Leganesin dhe para ndeshjes në kampionat me Levanten.

Këtë herë një tjetër lajm i madh vjen për futbollistin e Kombëtares.

Sipas asaj që raporton “Marca”, Barcelona ka dorëzuar listën e saj në Ligën e Kampionëve për vazhdimin e këtij kompeticioni pas kalimit të grupit.

Në listën me 25 emra të futbollistëve kryesorë përfshihet edhe sulmuesi Rey Manaj.

Kjo zgjedhje është e detyruar për dy kushte. Fillimisht lojtari shqiptar është i vetmi “9” që i ka mbetur katalanasve, ndërsa arsyeja e dytë është se Barcelona dhe çdo skuadër tjetër duhet të dorëzojë dy lista, A dhe B.

Tek A-ja janë të gjithë lojtarët kryesorë, ndërsa te B duhet të jenë lojtarët e akademisë nën U-21 vjeç. Lista B mund të ndryshohet deri në 1 ditë para ndeshjes. 

Burimi : Telegrafi