Mund t’ja dalësh edhe ti! VIP-at shqiptarë që i bënë ëndrrat realitet

Ashtu si të gjithë, edhe vipat kanë ëndrra të mëdha në sirtar dhe disa prej tyre kanë arritur t’i realizojnë ato. Madje me arritjet e sukseset e tyre kanë dëshmuar se ëndrrat vërtet mund të bëhen realitet kur punon fort.

Rasti më i fundit që dëshmoi se ëndrrat bëhen realitet ishte Alketa Vejsiu. Moderatorja shqiptare realizoi ëndrrën e saj të madhe dhe prezantoi në festivalin e Sanremos. “Nëse ëndërron do t’ja dalësh. Është një ëndërr e imja. Sonte ndihem si në Oscar”-ishin fjalët e Alketës. Alketa arriti jo vetëm të prekte skenën e Sanremos por edhe të kthehej brenda natës në prezantuesen më të komentuar të këtij edicioni.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa duket se ka arritur çdo sukses të mundshëm me këngët e saj që menjëherë kthehen në hite dhe janë në top-lista botërore. Mirëpo ëndrra e saj më e madhe ka qenë të jetë në kopertinën e revistës “Vogue” dhe ia ka arritur. Dua u shfaq në kopertinën e revistës prestigjioze një vit më parë dhe u shpreh: “Më pickoni, më pickoni, ëndrra ime u bë realitet”.

Një tjetër këngëtare që ka shënuar shumë arritje në karrierën e saj është Elhaida Dani. Edhe Elhaida e ka realizuar ëndrrën e saj kur performoi për herë të parë në një ndër skenat më të rëndësishme botërore, që është ajo e Moskës. “Ëndrrat bëhen realitet”-tha Elhaida.

Tayna është shumë e re në moshë por ka arritur sukses me këngët e saj hite që dëgjohen kudo. Vitin e kaluar Tayna pati bumin e suksesit në karrierë dhe kështu arriti të realizojë ëndrrën e saj. “1 vit, 11 këngë, 1 milion ndjekës, ky vit ka qenë ëndrra më e bukur”-u shpreh reperja.

Ëndrra më e madhe e Armina Mevlanit ishte të ndiqte nga afër koncertin e grupit të saj të preferuar “Guns n Roses”. Kjo ëndërr u bë realitet për Arminën pak vite më parë. Blogerja bukuroshe e ka treguar gjithnjë se përpos klasit në dukje, është edhe një rrokere e vërtet pasi i pëlqen shumë muzika rrok dhe ka ndjekur nga afër edhe koncerte të grupeve të tjerë.

Ndërsa ëndrra e Dafinës ishte fama në tokën e premtuar, Amerika. Pak vite më parë Dafina debutoi në tregun ndërkombëtar me këngën “Four Seasons” dhe u shpreh se kjo ka qenë ëndrra e saj që në fëmijëri. “Qëkur isha e vogël, ëndrra ime ishte të vija në Amerikë dhe të bëhesha këngëtare. Sot unë publikoj këngën time të parë dhe është ëndërr e bërë realitet”-tha Dafina asokohe.

Bleona Qerreti e ka realizuar gjithashtu ëndrrën e saj. Jo vetëm që ka shkelur në tapetet e eventeve që ndiqen nga mbarë bota që nga Grammy tek Oscar, por këngëtarja shqiptare ka luajtur edhe krah aktorit të njohur të Hollywoodit Nicolas Cage. “Jam një vajzë që vij nga një vend i vogël me ëndrra të mëdha”-shkruante Bleona.

Grimieri shqiptar, Mario sot është shumë shumë i suksesshëm dhe kujdeset për yje botërorë, si Kim Kardashian. Ëndrra e tij më e madhe ka qenë të blejë zyra në New York dhe e ka realizuar këtë ëndërr pak kohë më parë. Mario tregoi se dikur prindërit e tij i pastronin ato zyra ndërsa sot ai është pronar i tyre. “Ju lutem kurrë mos hiqni dorë nga qëllimet dhe ëndrrat tuaja. Shumë njerëze u duhen vite për të arritur ku duan. Më besoni shpeshherë për pak kam hequr dorë. Besojini vetes, qëndroni të fortë”-tha Mario./revistawho.com