Të hënën pasdite, organizata pas çmimeve Oscar publikoi në Twitter një foto që u fshi, por që dëmin e bëri. Në foto listoheshin “Parashikimet e mia” dhe fituesi Filmi më i mirë ishte “Parasite, ndërsa Regjisori më i mirë Sam Mendes. Postimi alarmoi fansat pasi votimet për fituesit mbyllen sot, më 4 shkurt dhe publikimi i një informacioni të tillë nënkupton lojë të pistë.
Postimi misterioz, mesa duket, kishte lidhje me një funksion të lançuar një orë e gjysmë para që i lejonte përdoruesit të parashikonin fituesit e Oscars për vitin 2020. Si pasojë e një problemi teknik, parashikimet e përdoruesve të tjerëve u shfaqën në llogarinë zyrtare të Oscars që krijoi idenë se fituesit ishin parazgjedhur pa u mbyllur ende votimi.
Në fjalë të tjera, është njësoj sikur zysha të parashikojë kush do marrë dhjetë në provim. Apo sikur Top Channel të parashikojë fituesin e Big Brother. Apo sikur FIFA të parashikojë fituesin e ndeshjes. Nuk ka kuptim.
Ceremonia e çmimeve Oscar do të mbahet të hënën, në orën 2 të natës. Me këtë rast, këto janë parashikimet tona. Parashikimet janë bazuar në informacionin që kemi mbledhur dita ditës mbi mënyrën si operojnë Oscars dhe jo mbi cilët mendojmë ne se e meritojnë. /anabelmagazine.com
