Kërkon 5000 Euro për të ngelur shtatzënë! Njihuni “mjeku” që të shëron me një të prekur

Një shërues popullor që quhet Andreja Pepkolaj pretendon se zgjidh problemet shëndetësore e sociale të njerëzve përmes ritualeve që kushtojnë deri në mijëra euro.

Këtë rast mashtrimi e ka raportuar emisioni “Fisk Fare” i cili ka kontaktuar  me “shëruesin” popullor, siç e prezanton ai veten, nëpërmjet numrit të telefonit që ka shënuar në kartëvizitën që u shpërndan njerëzve nëpër kryeqytet, raporton Top Channel.

Gazetarja e Fiksit u takua me mjekun në kafe, ku i kërkoi ndihme për një problem shëndetësor, sinozitin.

Mjeku pretendon se për 20 minuta e hiqte sinozitin, duke prekur njërin gisht të dorës së pacientes dhe duke e shoqëruar me lutje. Ai tregon se sinoziti është një hije qe pengon qarkullimin e gjakut dhe se me prekjen e tij, sèmundja largohet pa u mjekuar.

Më pas bashkëpunëtorja e emisioni i tregon se prej 7 vitesh nuk mund të bëjë fëmijë. Mjeku pranon ta ndihmojë dhe për këtë duhet ta paguash “shëruesin” 5 mijë euro dhe pas 9 muajsh do të sillje në jetë një fëmijë, madje të përcakton edhe gjininë e fëmijës, vajzë.

Ai pretendonte se zotëronte 13 diploma dhe se bashkëpunonte me disa “shërues” të tjerë, të cilët bashkoheshin dhe luteshin në mënyrë të pandërprerë.