
Pas ngjarjeve të fundit në Shqipëri, fenomeni i radhës është lulëzimi i tregut të hoteleve të luksit! Në një artikull publikuar nga Monitor, janë listuar të gjithë godinat dhe komplekset e reja që priten t’i bashkohen hoteleve të tjera luksoze në kryeqytet.
Vetëm pak javë më aprë, “ACCOR Hotels”, markë ndërkombëtare hotelerie njoftoi se do të hyjë në tregun shqiptar përmes një hoteli të quajtur “Novotel”, që pritet të hapet në 2021-in. Brenda këtij hoteli 7,000 m², pritet të ketë 130 dhoma dhe shërbime të ndryshme të standarteve të larta europiane.
Kryeqytetit pritet t’i bashkohet një godinë (e cila ka nisur të ndërtohet në Rrugën e Elbasanit, pranë Kodrave të Liqenit) që si funksion parësor do të ketë shërbimet e hotelerisë. Ky kompleks do të shtrihet në tre ndërtesa që kanë përkatësisht 6, 8 dhe 9 kate.
Gjithashtu, pranë Bulevardit të Ri, thuhet se projekti për ndërtimin e një kulle me 30 kate që do të shërbejë si hotel është gati të nisë pasi Bashkia e Tiranës ka hapur garën.
Përpos ndërtimeve të reja, edhe hotelet ekzistuese po investojnë në zgjerimin apo përmirësimin e tyre. Hotel Tirana po zgjerohet me një hotel të ri rreth 30 kate me pesë yje në qendër të Tiranës, kurse ish – Sheratoni do të zgjerohet me vila të vogla. Në anë të Sheshit Skënderbej është në ndërtim një kullë që do të shërbejë si hotel me pesë yje dhe do të operohet nga grupi spanjoll Melia.
Kulla e re tek stadiumi Air Albania pritet të operohet nga Marriott sipas një marrëveshje të nënshkruar me kompaninë Albstar.
Ndërkohë që lulëzimi i tregut në fuqizimin e hotelerisë vazhdon, ekspertët e fushës shprehen se ka diçka që s’shkon në gjithë këtë. Ky treg po zgjerohet shumë më shpejt se kërkesa që ka për këtë shërbim. Pra, lind pyetja: A i duhet/përballojnë shqiptarët hotele të këtyre niveleve?
Shtimi i kapaciteteve përtej kërkesës po çon çmimet e hoteleve në ulje duke rrezikuar kështu kthimin e investimeve në këto objekte.
Në Tiranë, aktualisht në hotelet me katër yje, një natë kushton 70-80 euro, ndërsa në hotelet me 5 yje, nga 90-140 euro/nata.
Burimi: Monitor