Louis Vuitton sapo bleu diamantin e dytë më të madh në botë, një veprim ky që demonstron ambicien e markës franceze për të hyrë në tregun e bizhuterive.
Diamanti i papërpunuar 1758-karatësh, që u zbulua prillin e shkuar nga Lucara Diamond Corp në Botsvana, është ngjyrë e errët dhe i madh sa pëllëmba e dorës. Kompania që e gërrmoi e quajti “Sewelo,” që do të thotë “gjetje e rrallë” në gjuhën e Tswana.
Lucara dhe HB Compani, një prodhues belg diamantësh, po bashkëpunojnë me Louis Vuitton për të pastruar dhe prodhuar disa diamantë më të vegjël nga diamanti Sewelo.

“Qëllimi i këtij bashkëpunimi i paprecedentë mes një miniere, një prodhuesi dhe një marke luksi do të jetë planifikimi, prerja dhe pastrimi i diamantëve nga Sewelo,” thuhet në një deklaratë për shtyp. Gjithashtu, qartësohet se potenciali i vërtetë i xhevahirit do të zbulohet pasi të pastrohet.
Blerja e diamantit nga Louis Vuitton është lëvizja e fundit e kompanisë mëmë, LVMH, për të hyrë në tregun e bizhuterive të luksit. Konglomerata ka në zotërim markën italiane Bulgari dhe markat e orave TAG Heuer dhe Hublot. Në nëntor, LVMH bleu Tiffany & Co për më shumë se 16 milionë dollarë.
Kur u zbulua diamanti Sewelo, u rendit si diamanti i dytë më i madh në histori, duke i zënë vendin një diamanti 1111-karatësh të quajtur Lesedi La Rona, nxjerrë nga e njëjta minierë.

Diamanti më i madh në histori ishte 3106-karatëshi Cullinan, që u zbulua në Afrikën e Jugut në vitin 1905. Guri u pre në diamantë më të vegjël, disa prej të cilëve hijeshojnë kurorat e familjes mbretërore britanike.
Vlera përfundimtare e diamantit Sewelo do të përcaktohet nga disa faktorë – jo vetëm madhësia, por edhe ngjyra, qartësia dhe a mund të pritet.
Edhe pse Lucara dhe Louis Vuitton s’i kanë vënë ende çmim gurit, mund të vlerësohet mbi 53 milionë dollarë.
Burimi: CNN